Njoftim - Memorandum bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe Zyra Kombëtare e Auditimit nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në fushën e zbatimit të legjislacionit të prokurimit publik
Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi i cili do të lehtësojë bashkërendimin e aktiviteteve ndër institucionale me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës në fushën e zbatimit të legjislacionit të prokurimit publik në Republikën e Kosovës.
Nënshkrimi i këtij memorandumi të bashkëpunimit është bërë në një ceremoni zyrtare ku të pranishëm kanë qenë edhe anëtarët e Bordit të KRPP-së, Fidane Spahija Gjikolli dhe Avni Sahiti si dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj.
Me këtë rast, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e kanë vlerësuar tejet të rëndësishme arritjen e kësaj marrëveshje, duke thënë se bashkëpunimi ndër institucional nëpërmjet trajnimeve, konferenca të përbashkëta dhe forma të tjera të ndërgjegjësimit, ka për synim të përmirësojë në përgjithësi prokurimin publik në Kosovë.
Në veçanti memorandumi parasheh lehtësimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të palëve sipas fushë veprimtarisë së caktuar për interesa të përbashkëta, rritjen e kapaciteteve përmes edukimit të vazhdueshëm, trajnimit dhe certifikimit të auditorëve të caktuar, si dhe zbatimin sa më efikas të aktiviteteve audituese.
Z. Osman Vishaj pasi ka vlerësuar lartë nevojën për bashkëpunim, ka theksuar se “ky bashkëpunim do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e ndërgjegjësimit të shfrytëzuesve të parasë publike për përdorur atë në mënyrë sa me efikase dhe ekonomike”.
“Auditimi i sistemit të prokurimit publik është jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve për avancimin profesional të auditorëve në këtë fushë është i domosdoshëm dhe ndikon në rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies publike në Kosovë”, ka theksuar znj. Spanca.
Në kuadër të këtij memorandumi, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) duke u bazuar në nevojat dhe planin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) do të organizojë trajnime për auditorët për e-prokurimi dhe për Ligjin e Prokurimit Publik, rregulloret, Udhëzuesin Operativ dhe manualët e prokurimit; do t’i trajtojë me prioritet kërkesat për interpretim të Ligjit të Prokurimit Publik që parashtrohen nga auditorët, dhe do të kthejë përgjigje sa më shpejtë që të jetë e mundur; si dhe kurdo që KRPP-ja e vlerëson të nevojshme, njofton ZKA-në për çështje që ndërlidhen me moszbatim të legjislacionit për prokurimin publik nga ana e autoriteteve kontraktuese.
Për zbatimin sa më efektiv dhe efikas të këtij memorandumi të bashkëpunimit të dy institucionet do të caktojnë koordinatorët përgjegjës.